Informacion i përgjithshëm

Konferenca e Mostarit për Ndërmjetësimin 2020 trajton temën e bashkëpunimit midis drejtësisë dhe sistemeve të ndërmjetësimit në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi kryesor i konferencës është të krijojë një hapësirë ​​për të mësuar nga praktikat e mira, për shkëmbimin e njohurive mbi sfida të ngjashme në të gjithë rajonin, dhe për mënyrën se si janë kapërcyer ato në të shkuarën dhe si mund të kapërcehen në të ardhmen.

Bashkëpunimi mes ndërmjetësimit dhe sistemit të drejtësisë, që përveç efekteve të tjera kontribuon në lehtësimin e ngarkesës së çështjeve në sistemin gjyqësor, realizohet në nivele të ndryshme në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor: në Kosovë*[1] referohen disa qindra raste nga gjykatat në ndërmjetësim çdo vit, dhe në Serbi kërkesa për ndërmjetësim është rritur në mënyrë domethënëse, sidomos kohët e fundit, kurse në Bosnjë dhe Hercegovinë (B&H), Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, dhe Kroaci, vetëm pak raste referohen nga gjykatat përgjatë gjithë vitit. Megjithatë, ligjet për ndërmjetësimin parashikojnë një rol të rëndësishëm për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe rasteve të referuara nga gjykatat në të gjithë rajonin: Përveç të tjerave, në Bosnjë dhe Hercegovinë (B&H), Shqipëri, Kosovë*1, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ndërmjetësimi mund të jetë i detyrueshëm me ligj dhe gjykatësit, në shumë fusha të ligjit, janë të detyruar apo u kërkohet që të informojnë palët në mosmarrëveshje për mundësinë e zgjidhjes me ndërmjetësim.

CSSP, e cila po zbaton projekte në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë* dhe Shqipëri që synojnë forcimin e bashkëpunimit midis sistemit të ndërmjetësimit dhe atij të drejtësisë, së bashku me Këshillin Rajonal për Bashkëpunim (RCC), i cili drejton Rrjetin e Ndërmjetësve në Evropën Jug-Lindore dhe në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare Jug-Lindore të Ndërmjetësve, do të mbajnë konferencën rajonale në vjeshtë të vitit 2020. Konferenca do të mbledhë aktorët kryesorë që janë në pozita për të mbështetur dhe për të ndikuar pozitivisht bashkëveprimin mes sistemit të ndërmjetësimit dhe atij të drejtësisë, siç janë ndërmjetësit, gjyqtarët, prokurorët, avokatët, përfaqësuesit e ndryshëm të shoqatave të ndërmjetësimit, dhomave dhe qendrave dhe po ashtu edhe nga ministritë përkatëse të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile. Për më shumë, ekspertët nga rajoni dhe më gjerë, do të kontribuojnë me ekspertizat e tyre të thelluara, njohuritë e tyre know-how dhe përvojën shumë-vjeçare për t’iu përgjigjur pyetjeve për zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme.

Konferenca e Mostarit për Ndërmjetësimin vijon gjithashtu traditën e një serie takimesh të Forumit të Evropës Juglindore të Ndërmjetësimit (SEEMF), krijuar nga CSSP dhe i mbështetur nga viti 2005 deri në vitin 2012.

[1] Gjuha e kësaj faqeje interneti është në përputhje me përdorimin e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim: * Ky përcaktim nuk paragjykon pozicionet mbi statusin, dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e ICJ mbi deklaratën e Kosovës për pavarësia